Gjergj Vyshka 26.01.2016 14:20
Tashmë të gjitha federatat sportive në Shqipëri e dinë se sa do ta kenë fondin financiar për vitin 2016, sepse zyrtarisht janë shpallur grantet e dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Kështu ka ndodhur edhe me Federatën Shqiptare të Pingpongut, e cila sipas sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni, Tonin Binoshi, krahasur me vitin 2015 ka një rritje në fondin grant me 500.000 lekë.
“Nëse vjet ne kemi pasur 2.500.000 lekë të rinj fondi grant, sivjet është 3.000.000 lekë të rinj, që besoj se është i mjaftueshëm për të gjitha ato veprimtari që kemi”, ka thënë zyrtari i pingpongut shqiptar.
“Këtu bëhet fjalë jo vetëm për ato kombëtare, por dhe ndërkombëtare, ndërsa shpejt do të mblidhet dhe kryesia për ndarjen dhe përcaktimin e saktë të këtij granti sipas zërave që janë të parashikuara në ligj”, – ka theksuar Binoshi për Sport Ekspres.
Ndërsa pingpongu bëhet gati që në fundjavë të grumbullojë kombëtaren për një miqësore në Shkodër ndaj Buduçnostit të Podgoricës, por edhe një turne veteranët në Kotorr të Malit të Zi.