Albaniansport.net 26.01.2016 12:30
ASNN – Së bashku me vështirësitë për ta ndërtuar ekipin që do ta përfaqësojë Kosovën në ndeshjet Eliminatore për “Eurobasket 2017”, Federata e Basketbollit e Kosovës po merret edhe me problemet e infrastrukturës. Sikundër edhe Shqipëria, problemin më të madh, FBK-ja do ta ketë me “kërkesat specifike” që duhet t’i plotësojë për zhvillimin e një ndeshjeje eliminatore si vendase.
Përfaqësuesja e Kosovës gjatë eliminatoreve për “Eurobasket 2017” do të zhvillojë gjashtë ndeshje, tri në shtëpi dhe tri në fushë të huaj. Palestra në të cilën zhvillohet ndeshja duhet t’i ketë gjashtë dhoma zhveshjesh e dy dhoma të veçanta, kusht ky që për momentin nuk e plotëson asnjë palestër në Kosovë. Katër dhoma zhveshjesh janë të rezervuara për ekipet dhe dy për gjyqtarët.
Kurse dhomat e veçanta duhet të shërbejnë për ndihmën e shpejtë dhe kontrollorët e dopingut. Sipas asaj që kërkon FIBA, Kosova i plotëson vetëm dy kritere, të cilat nuk kanë të bëjnë me sportin, ka një aeroport ndërkombëtar dhe ka hotel me pesë yje. Palestrat ku mund të investohet për këto që kërkon FIBA, mund të jenë ajo e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, ajo në Gjakovë dhe ajo në Mitrovicë.
Kjo, pasi ato kanë mbi 1700 ndenjëse, që është minimumi i kërkuar. “Shumica e palestrave e plotësojnë këtë kriter, por problemi është se duhet të ketë më shumë dhoma zhveshjesh, zyre, hapësirën VIP dhe atë të mediave”, – është shprehur sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha, i cituar nga e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”.
“Këto kërkesa specifike janë më të vështira për shkak se nevojiten katër dhoma zhveshjes për ekipet, dy për gjyqtarët dhe dhoma e ndihmës së shpejtë dhe ajo e testeve të dopingut”, – ka përfunduar nr. 2 i organizmit që qeveris koshin kosovar.