Albaniansport.net 26.01.2016 09:45
ASNN – Nisin ethet e Evropianit, Shtërmeni e Cërriku pika e grumbullimit të shtangës. Presidenti i Federatës, Gjoza: “Kush nuk do të paraqitet deri të mërkurën në orën 14:00, që është dhe afati i fundit i grumbullimit të kombëtares, do të përjashtohet nga ekipi.”
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar në analizën vjetore të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila të shtunën është zhvilluar në Akademinë e Shkencave, dje në Shtërmen e Cërrik ka nisur grumbullimi i ekipit kombëtar.
Pikërisht dje në mesditë, në mjediset e një hoteli në Cërrik, kanë qenë të pranishëm të gjithë kandidatët e peshëngritjes, që pretendojnë të jenë në Evropianin e Oslos, i cili zhvillohet nga data 10, deri më 16 prill 2016.
Bashkë me sportistët kanë qenë edhe trajnerët, ndërsa përfaqësuesja e peshëngritjes shqiptare do të akomodohet e grumbullohet në Cërrik, kurse stërvitjen do ta kryejë në palestrën e Shtërmenit.
Në këtë grumbullim të parë të përfaqësueses së Shqipërisë në peshëngritje, ndërsa Evropiani është shumë i rëndësishëm për kualifikimin në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, si dhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Agron Haxhihyseni.
Në hollin e hotelit “Xhelili”, presidenti Gjoza ka bërë një takim me sportistët, ndërsa ka kërkuar prej tyre disiplinë në përgatitje dhe një sjellje korrekte në të gjitha ambientet ku do të stërviten e ku do të qëndrojnë.