Gjergj Vyshka 26.01.2016 08:50
Vllaznia në basketboll për meshkuj ka goditur përsëri në merkaton e dimrit. Pas amerikanit Kori Alen, një tjetër goditje ka ardhur në brendësi të kampionatit shqiptar. Algert Gjonaj, lojtari i kombëtares së basketbollit për meshkuj, por dhe i Kamza Basket dhe i Tiranës, skuadra me të cilët ka marrë dhe trofe, tashmë ka zgjedhur të luajë larg kryeqytetit.
Ai është përforcimi surprizë dhe i radhës për Vllazninë e Bledar Gjeçajt, që kështu ka dobësuar një kundërshtar direkt në luftën për titullin “kampion” dhe Kupën e Shqipërisë. Si amerikani Alen, ashtu dhe Gjonaj janë prezantuar dje në Shkodër, ndërsa u është uruar mirëseradhja dhe nëpërmjet proflit në rrjetin social, “Facebook”-ut të Shoqatës së Basketbollit “Vllaznia”.
Parë kështu, kur skuadrat e Superligës kanë lëvizur pak, atëherë Vllaznia e basketbollit të meshkujve kthehet përsëri në një potencial për të qenë sërish fituese e trofeve. Gjonaj e Alen përkrah Xhokoviç, Bërdicës, Taraboshit, Hutit, Ndojës, etj do të bëjnë gjithçka mirë që Shkodra të ketë përsëri fatin e të qenit fitues trofesh në basketboll për meshkuj. Dy goditje shumë të mira për skuadrën e Bledar Gjeçajt.