Albaniansport.net 25.01.2016 20:55
ASNN – Milot Rashica është shndërruar në një pikë referimi për Vitesen e Arnhemit dhe përfaqësuesen e Shpresave. Mesfushori shqiptar me tipare sulmuese është një organizator dhe një shënues i mirë. Me Vitesen numëron 7 gola këtë sezon dhe preferon t’i festojë duke bërë simbolin e shqiponjës.
Rashica e sqaroi këtë për një televizion holandez. “Kjo është një shqiponjë, është një simbol i vendit tim dhe unë dua të tregoj prejardhjen time, pasi jam nga Shqipëria dhe jam krenar për këtë”, – shpjegoi futbollisti i Viteses dhe i përfaqësueses kuqezi të Nën-21-vjeçarëve.
Rashica ëndërron që pas Shpresave të kalojë në Kombëtaren e madhe, ndoshta që në fazën finale të Evropianit 2016. “E kam ëndërr të shkoj në Evropian, – ka pohuar ai. – Unë besoj se trajneri (Xhovani De Biazi) më ndjek gjithmonë dhe jam gati të jap ndihmën time nëse më thërret.”
Rashica është pyetur edhe për origjinën e tij nga Kosova ndërsa thotë se anglishtja e tij nuk është aq e mirë për të treguar vuajtjet e këtij populli gjatë luftës.