Albaniansport.net 25.01.2016 14:25
ASNN – Rijeka vendos çmimin për kartonin e Bekim Balës dhe sulmuesi shqiptar vlen 3 milionë euro. Kështu, do të duhen jo pak, por plot 3 milionë euro për të marrë Bekim Balën. Ky është vlerësimi i klubit kroat të Rijekës për sulmuesin shqiptar, i cili ka admirues në Rusi dhe Turqi. Shënuesi i 7 golave gjatë fazës së parë të kampionatit kroat, mund të kalojë në një ekip edhe më të rëndësishëm, veçse nuk do të jetë e lehtë.
Rijeka e quan Balën si një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe nuk dëshiron ta humbasë gjatë këtij edicioni ku synon të fitojë titullin “kampion”. Skuadra e sulmuesit kuqezi nuk është larg, duke qenë vetëm 2 pikë pas kryesueses Dinamo e Zagrebit. Bala shënoi gol edhe gjatë fazës përgatitore që ekipi po zhvillon në Lindjen e Mesme, në një përballje ndaj skuadrës FC Dubai.
Në këtë ndeshje u paraqit shumë mirë edhe Odise Roshi. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ishte krijues i dy golave duke shërbyer topat për shënuesit. Në fakt, lojtarët shqiptarë të cilët luajnë në Kroaci, po tregojnë që në fazën përgatitore se do të jenë protagonist në kampionat. Endri Çekiçi i cili është huazuar te Lokomotiva Zagreb për pjesën e mbetur të sezonit realizoi një gol nga distanca në miqësoren me skuadrën rumune Vitorul.
Te Lokomotiva luajnë edhe shqiptarët Eros Grezda dhe Herdi Prenga. Pavarësisht golit të mesfushorit shqiptar skuadra kroate e humbi takimin me rezultatin 1-2, duke mos e fituar trofeun e “Arena Cup”. Në formë të mirë dhe tepër bashkëpueses Bekim Balaj dhe Odise Roshi. Balaj shënoi, ndërsa Roshi dha pasimin në sfidën mes Rijeka dhe Dubai FC. Takimi u mbyll me rezultatin 4-0 me Bekim Balajn autor të golit të fundit.