Gjergj Vyshka 25.01.2016 10:05
Për meshkuj pas Xhokoviçit janë kualifikuar Nishikori, Federer e Berdiç, kurse për femra Serena Uilliams është pasuar nga Sharapova, Radvanska dhe Navarrro. Të tjerët dalin sot në mëngjes. Melbërni dhe turneu i parë i madh në tenis për vitin 2016 ka caktuar çerekfinalistët e parë. Tek femrat Maria Sharapova fiton ndeshjen e saj të raundit të katërt në Turneun e Hapur të Australinë, “Australian Open 2016” në Melbërn për t’u kualifikuar në çerekfinale të këtij turneu.
Tenistja ruse, finaliste e vitit të kaluar, fitoi ndaj zviceranes Belnida Bençiç me rezultatin 2-0. Sharapova nuk e pati aspak të lehtë sfidën ndaj 18-vjeçares Bençiç dhe aspekti që e ndihmoi më shumë në këtë sfidë ishte numri i lartë i shërbimeve të kthyera në pikë, plot 21. Në fund Sharapova i fitoi të dy setet e këtij takimi 7-5, 7-5 dhe në çerekfinale e pret pikërisht kampionia në fuqi, Serena Uilliams. Nga ana e saj tenistja amerikane e pati shumë të lehtë përballjen e saj ndaj Margarita Gasparian.
Numri 1 i botës nuk shpenzoi shumë kohë dhe e mbylli ndeshjen në 2 sete; 6-2 dhe 6-1 në më pak se 60 minuta lojë. Po kështu në çerekfinale janë kualifikuar edhe Radvanska dhe Navarro. Në kampin e meshkujve u kualifikua Kei Nishikori, i cili në turin e 16-shes mundi Zho Vilfrid Tsonga me rezultatin 3-0. Ishte një takim i dominuar totalisht nga Nishikori që i fitoi setet 6-4, 6-2, 6-4. Në çerekfinale Nishikori do të përballet me numrin 1 të botës, Novak Xhokoviç, i cili fitoi me shumë vështirësi ndaj Zhil Simon me rezultatin 3-2. Po kështu janë kualifikuar për në çerekfinale dhe Federer e Berdiç
“Australian Open 2016”
Rezultatet teknike të turit të 16-shes
Meshkuj
Dje:
Xhokoviç – Simon 3-2
Nishikori – Tsonga 3-0
Federer – Gofin 3-0
Berdiç – Agut 3-0
Sot:
Kuznjecov – Monfils
Raoniç – Vavrinka
Ferrer – Isner
Tomiç – Mërrej
Femra
Dje:
S.Uilliams – Gasparian 2-0
Sharapova – Bençiç 2-0
Raduanska – Friedsam 2-1
S.Navarro – Gavrilova 2-1
Sot:
Kerber – Bek
Azarenka – Striçova
Konta – Makarova
Keis – Zhang