Albaniansport.net 24.01.2016 16:10
ASNN – Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, ka luajtur dje dy ndeshjet e para të çerekfinaleve dhe Laçi e Teuta kanë korrur fitore në fushën e tyre, përkatësisht ndaj Partizanit dhe Kukësit.
Në takimin e zhvilluar në Laç dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Televizionit Shqiptar, skuadra vendase ka marrë një fitore të çmuar ndaj të kuqve kryeqytetas.
Pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë, laçianët kanë siguruar fitoren me rezultatin 2-0, falë dy golave të shënuar nga nigeriani Xhejms Adeniji.
Ndërkaq, në Durrës, Teuta i është falur një goli të Hilës në pjesën e parë, për të marrë një fitore minimale, por të vyer ndaj Kukësit. Ndeshjet e para të dy çifteve të tjera çerekfinale po luhen sot.
Dhe, duke nisur nga ora 14:00, Vllaznia ka pritur në Shkodër Skënderbeun, të takimin që u mbyll me rrjeta të paprekura ndërsa duke nisur nga ora 17:00 luhet në Vlorë përballja Flamurtari-Tirana.
Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë luhen pas 3 javësh, më 17 shkurt 2016.