Albaniansport.net 24.01.2016 13:55
Ronaldo mund të largohet nga Reali dhe shkak janë udhëtimet e shpeshta të lojtarit në Marok Tensionet mes Kristiano Ronaldos dhe Florentino Perezit janë shtuar tek Reali i Madridit. Presidenti i klubit madrilen është acaruar së tepërmi nga udhëtimet e vazhdueshme të sulmuesit portugez në drejtim të Marokut, si dhe nga spekulimet e shumta që kanë nisur në lidhje me miqësinë mes tij dhe “kikbokser”-it, Badr Hari.
Kjo e ka detyruar kreun më të lartë të skuadrës 10 herë kampione të Evropës, që të marrë masa dhe të ndalojë në mënyrë kategorike Ronaldon të vijojë me udhëtimet e tij. Sipas asaj që publikohet në median spanjolle, Ronaldo shkon në Marok me avionin e tij privat 4 herë në javë, çdo pasdite, nga e hëna në të enjte. Kjo rutinë e futbollistit u zbulua dhe ka shkaktuar zemërimin edhe të Perezit.
E gjithë kjo është kthyer në një çështje te Reali i Madridit. Madje, kjo situatë mund të sjellë edhe ndryshime në strategjinë e merkatos së skuadrës spanjolle, me Kristiano Ronaldon që mund t’i japë lamtumirën Realit të Madridit në fund të sezonit, pavarësisht përgënjeshtrimeve të shumta.