Gjergj Vyshka 23.01.2016 20:35
Basketbollit shqiptar, por ndoshta dhe volejbollit, që do të marrë pjesë në Ligën e Evropës meshkuj dhe femra, duket se nuk ja zgjidh problemin salla sportive në Parkun Olimpik të Tiranës (Ish-Kompleksin “Dinamo”). Ashtu sikurse është bërë e ditur nga burime të sigurta, por që është konfirmuar dhe nga drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi, kjo sallë ka kapacitetin 1,200 vende të ulura.
I pamjaftueshëm për atë që kërkon Federata Evropiane e Basketbollit, e cila për të të licencuar kërkon 2,000 vende të ulura për femra dhe 3000 vende të ulura për meshkuj, përtej kërkesave të tjera. “Duhet të dini diçka, – thotë Doçi, – ne nuk ishim se po bënim pallat të ri sportiv. Mbi bazën e kolonave ku ka qenë salla është bërë investimi. Nuk është se po të shtynim murin dhe mund të kishim fituar ndonjë gjë.”
“Ne shpresojmë që ndërkombëtarët të na lejojnë kur të vijë çështja për ta licencuar, sepse do të jetë me ngrohje e ftohje, – ka vijuar ai. – Por, sidoqoftë, gjithsesi kriteret që kërkon FIBA e dimë”. Që do të thotë se jo vetëm më 24 shkurt ndaj Italisë, por dhe në gusht e shtator kur të jenë ndeshjet e meshkujve, apo dhe në nëntor për dy të femrave, basketbolli shqiptar sërish do të marrë gjoba nga ndërkombëtarët.
Sepse nuk ka lëvizje tjetër për të kryer, veçse në të mbaruarin Pallat Sporti “Asllan Rusi”.