Albaniansport.net 23.01.2016 15:35
ASNN – Pas ndeshjeve të luajtura të shtunën, Kupa e Shqipërisë do të luajë dy ndeshje çerekfinale edhe të dielën. Vllaznia pret Skënderbeut ndërsa Flamurtari pret në Vlorë, Tiranën. Vetëm 24 orë përpara dy sfidave, trajnerët e skuadrave përkatëse, tregojnë synimet e tyre për këto sfida.
Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë do të vazhdojnë të dielën me ndeshjet Vllaznia-Skënderbeu dhe Flamurtari-Tirana. Vllaznia ka marrë në drejtim trajnerin Armando Cungu për fazën e dytë të kampionatit. Ai ka kërkuar impenjim maksimal nga lojtarët e tij ndaj Skënderbeut.
Tirana do ta nisë vitin 2016 me ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, me Flamurtarin. Skuadra vlonjate ka bërë një merkato të fuqishme, por trajneri i bardhebluve, Ilir Daja, nuk i druhet këtij fakti. Ndërkaq, përpara ndeshjes së parë zyrtare për vitin 2016, trajneri i Flamurtarit, Zekerija Ramadani, ka folur për rëndësinë e saj.
Klubi vlonjat ka prezantuar edhe uniformat e reja të skuadrës, që do te veshë që në ndeshjen me Tiranën. Kompania “Joma” do të jetë sponsori i kuqezinjve vlonjatë. Uniformat do të jenë tradicionale, kuq e zi, e bardha me vijat kuq e zi dhe bluza e trete me ngjyra vjollcë, çka është edhe një risi për këtë sezon.