AlbanianSport.com 20.10.2014 10:45
ASNN – Pas fitores me Veleçikun, tashmë Besëlidhja është shkëputur dy pikë nga të tjerët në grupin e Veriut, ndërsa është kryesuese e grupit të Veriut. Në ndeshjen ndaj koplikasve, Besëlidhja ka treguar një forcë sulmuese të fortë, e cila jo vetëm që ka shënuar pesë gola, por i ka realizuar shumë bukur ato. Duhet veçuar goli i Xhorxheviçit, apo dhe i Marashit. Madje tek skuadra lezhjane duhet vlerësuar dhe mbrojtja, e cila në tre javë kampionati nuk është thyer ende, ndërsa nuk ka pësuar asnjë gol.
Por kjo forcë e Besëlidhjes ka nevojë të shihet në përballjen me Tërbunin, skuadër e cila ka treguar forcën e saj në vizitën e Fushë-Krujës, atje ku ka përmbysur disavantazhin nga 0-2 në 4-2 për të. Që do të thotë se Tërbuni e ka treguar forcën në këtë ndeshje jashtë fushe, ndërsa do të mobilizohet për të qenë e tillë edhe në përballjen me Besëlidhjen në Pukë. Për asnjë çast lezhjanët nuk do ta ulin ritmin e tyre, ndërsa trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi, për gazetat sportive të ditës do të deklaronte: “Ne kemi fituar ndaj Veleçikut, e cila është një skuadër e re, një ekip që luan mirë me topin”.
“Por përballë Besëlidhjes ka qenë e pafuqishme dhe kjo ka arsyet e veta, – ka vijuar ai. -Ne gjatë gjithë javës kemi vlerësuar çdo seancë stërvitore, kemi studiuar kundërshtarët dhe në fund ia kemi dalë me sukses. Kemi 9 pikë të plota, ndërsa me meritë kemi kapur kreun e renditjes në Veri. Dhe çfarë është më e rëndësishmja nuk kemi pësuar gol. Ndaj dhe jemi të kënaqur. Por nuk duhet të dehemi nga suksesi, sepse nuk është shpesh e vështirë për të fituar.”
“Por them se është e vështirë të ruash kreun e renditjes. Këtë gjë do ta kemi parasysh gjithnjë. Ne tani do të fillojmë përgatitjet gjatë gjithë javës për transfertën e vështirë të Pukës ndaj Tërbunit vendës. E vlerësojmë në maksimum sfidën me Tërbunin, pasi ne do të luajmë në fushë të huaj këtë ndeshje. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe e fortë, atje ku ne do të luftojmë për të fituar dhe për të ruajtur kreun e renditjes”, – ka përfunduar trajneri i Besëlidhjes, Sinan Bardhi.