Albaniansport.net 22.01.2016 12:05
ASNN – UEFA vendosi që të përdorë teknologjinë në ndihmë të gjyqtarëve gjatë fazës finale të “Euro 2016”. Komiteti Ekzekutiv i organizmit që qeveris futbollin kontinental e miratoi këtë ndryshim në mbledhjen e fundit.
Qëllimi natyrisht është që të shmanget çdo paqartësi në përcaktimin e golit. Me këtë vendim UEFA nuk kërkon që të zbehë rolin e gjyqtarëve, por, më tepër, t’u vijë në ndihmë të tyre.
Në takimet e fazës finale të Euro 2016 do të jenë edhe gjyqtarët e portës. Tani mbetet vetëm të vendoset sistemi, që duhet përdorur dhe që të formalizohet me vendimin e Bordi Ndërkombëtar i Shoqatave të Futbollit (IFAB).
Mbledhja e radhës e IFAB-it do të jetë në mars. Në fakt, teknologjia ka disa kohë që po përdoret në disa kampionate të rëndësishme të Evropës si në Angli, Itali, Gjermani dhe Francë.
Problemi i golit “fantazmë” ka hapur gjithmonë polemika edhe në fazat finale të veprimtarive ndërkombëtare, por përdorimi me sukses i teknologjisë së vijës fatale në Botërorin e 2014-s në Brazil, hapi rrugën e përdorimit më të gjerë të këtij avantazhi.