Albaniansport.net 22.01.2016 08:45
Intervista e parë e Berat Gjimshitit si lojtar i Atalantës: “Pyeta De Biazin, i lumtur për zgjedhjen”. Pasi u prezantua zyrtarisht, Berat Gjimshiti ka dhënë edhe intervistën e tij të parë si lojtari i Atalantës në Serinë A. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u transferua në kampionatin italian pasi FC Zyrihun prishi kontratën me të, ndërsa kjo lëvizje konsiderohet si kapërcimi i madh në karrierën e tij.
“Jam i lumtur për zgjedhjen që bëra, – ka thënë ai për mediat italiane. – E dija për interesimin e Atalantës. U mendova, ndërsa fola edhe me trajnerin e Shqipërisë, Xhovani De Biazi dhe zëvendësin e tij, Paolo Tramexani, i cili ka luajtur këtu. Përpara është Kampionati Evropian dhe kërkoja një kampionat më konkurrues se ai zviceran në mënyrë që të luaj atje.”
Por objektivi i parë i Gjimshitit është të bindë trajnerin Edi Reja, në mënyrë që të debutojë sa më shpejt në kampionatin italian. “E kam ndjekur futbollin italian dhe mendoj se ai është shumë taktik, – ka thënë mbrojtësi më i ri i Atalantës. – Si fillim duhet të njoh skuadrën dhe mënyrën si si luan ajo. Por jam i vendosur për të dhënë maksimumin për të ndihmuar ekipin.”
Berat Gjimshiti është një nga përforcimet e Atalantës në merkaton e dimrit. Futbollisti 22-vjeçar u transferua te klubi nga Bergamo me parametra zero, duke firmosur deri në vitin 2019.