Gjergj Vyshka 21.01.2016 11:10
Dje ndërkombëtari i basketbollit shqiptar Gentian Cici ka gjykuar ndeshjen e tij të 12-të në “Euro Cup” për meshkuj. Ai ka qenë gjyqtar i tretë në ndeshjen e grupit K në Izmir të Turqisë, atje ku skuadra vendëse Pinar Karsiaka Izmir ka pritur italianët e Dolomiti Energia Trento. Në një ndeshje që është luajtur “Karsiaka Arena”, gjyqtar i parë ka qenë spanjolli Antonio Konde, kurse i dytë malazezi Igor Dragojeviç.
Ndeshja është fituar nga italianët 79-85 (18-16, 20-20, 20-24, 21-25), ndërsa të pranishëm kanë qenë 2,500 shikues. Kjo është hera e dytë për Cicin këtë sezon në Turqi, ndërsa më parë ka qenë në Trabzon, ashtu sikurse ka qenë dy herë në Ljubjanë, dy herë në Spanjë (Las Palmas dhe Saragoza), më pas në Podgoricë, Bukuresht, Tsigoleti, Limozh të Francës, Rexhio-Emilja në Itali dhe Klapeida në Lituani.
Një vlerësim i përjavshëm për Cicin, i cili dhe në kushtet e mungesës së veprimtarive kombëtare në basketbollin shqiptar, gjithçka nis në shkurt, mbahet gjallë me gjykimet ndërkombëtare. 12 ndeshje në 13 javë të “Euro Cup”, si dhe një në Ligën Ballkanike, pa harruar katër në Kampionatin Evropian të të rriturve, mjaftojnë të besosh që Cici është gjithnjë në qendër të vëmendjes së ndërkombëtarëve.