Albaniansport.net 21.01.2016 10:05
ASNN – Sipas mediave italiane, Rei Manaj mund të huazohet në Spanjë, pasi është Sportingu i Gihonit klubi më i fundit që e kërkon shqiptarin. Mesa duket, nuk mbarojnë pretendentët për Rei Manaj.
Pas insistimit të gjatë të Frosinones e Bolonjës, skuadra e fundit që kërkon shërbimet e sulmuesit kuqezi është nga Spanja, Sportingu i Gihonit. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane, “Gazzetta dello Sport”, shkruan se sulmuesi shqiptar është një synim i klubit të Ligës Spanjolle për ta marrë në formë huazimi në janar.
Gjatë gjithë kohës drejtuesit e Interit dhe trajneri Roberto Mançini kanë deklaruar se nuk duan ta largojnë lojtarin, i cili muajin e ardhshëm do të mbushë 19 vjeç. Sipas gazetës italiane, një afrim tjetër në sulm do ta bënte të vështirë qëndrimin e shqiptarit, i cili së fundi është vlerësuar si një nga talentet me të ardhme në botë.
Rei Manaj bëri hapin e madh në karrierë vetëm pas një sezoni si profesionist me Kremonezen. Manaj u bë pjesë edhe e Kombëtares në miqësoret e muajit nëntor. Ai debutoi në ndeshjen ndaj Kosovës, ku shënoi gol vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushë, në barazimin 2-2.