Gjergj Vyshka 20.01.2016 20:45
Kombëtarja e Shqipërisë në pingpong të rritur e të rritura, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Federate, Tonin Binoshi, më 31 janar do të ketë një ndeshje miqësore. Pikërisht në Shkodër do të jetë i ftuar si mik Buduçnosti i Podgoricës, ndërsa nga Binoshi mësohet se kjo është më tepër një ftesë e bërë nga shqiptarët ndaj malazezëve.
“Sepse, – thotë kryekzekutivi i “topave të vegjël”, – vitin e kaluar kanë qenë ata që na kanë pritur. Duke qenë se jemi edhe në prag të ndeshjeve eliminatore të Kampionatit Evropian 2017”. Siç dihet për femra Shqipëria do të jetë përballë Danimarkës, Norvegjisë dhe Islandës, kurse për meshkuj do të ndeshet me Skocinë, Maltën, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Luksemburgun.
Nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Binoshi, është mësuar se në kongresin e Federatës Evropiane do të vendoset nëse do të luhet me sistemin vajtje-ardhje, apo me grumbullim. “Me shumë mundësi mund të jetë me grumbullim, sepse me vajtje-ardhje për aq sa kemi ne fond financiar është shumë shtrenjtë”, – ka përfunduar Binoshi.
Tashmë është fakt i kryer që më 31 janar, në ora 10:00, Shqipëria e pingpongut, meshkuj dhe femra, do të ndeshet me Buduçnostin. Në ditët në vazhdim do të përcaktohen edhe emrat e kombëtares, që do të jenë tre meshkuj e tre femra.