Albaniansport.net 20.01.2016 18:55
ASNN – Skuadra e Nën-18-vjeçarëve të Pistojës, që njihet me emrin zyrtar “Officina Fattori Maurizio Pistoia” dhe në radhët e të cilit militon basketbollisti premtuese shqiptar, Celis Taflaj, ka fituar edhe në sfidën e radhës me US Empolezen dhe ka siguruar titullin e kampiones rajonale për të dytin vit radhazi 3 javë para përfundimit të kampionatit në Toskanë, pa asnjë humbje.
Në takimin ndaj Empolezes, Taflaj, i cili ishte më i miri në këtë takim, ka shënuar 17 nga 83 pikët e realizuar nga skuadra e tij kundrejt 57 pikëve të realizuar nga kundërshtari. Ndeshja e radhës në kampionat për skuadrën e Taflajt të ri, që është i biri i anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), është sërish përballë US Empolezes, që do të luhet më 27 janar 2016, duke nisur nga ora 17:30.
Në fakt, Celisi është pikëshënuesi më i mirë i skuadrës pistojeze, e cila, si kampione e Italisë duhet të luante në turneun e kampioneve të Evropës për këtë grupmoshë, por, për probleme financiare, ajo nuk mori pjesë. Duhet theksuar se ai ka qenë një kontribuues i madh edhe me ekipin përfaqësues të Nën-18 dhe 20-vjeçarëve të Shqipërisë gjatë eliminatoreve të shkuara.
Me një lartësi të admirueshme prej 2 metrash e dy centimetrash, me një peshë prej afro 90 kg, Taflaj është një lojtar që gjithashtu është kontingjent i Valentina’s Bottegones, skuadrës që militon në Serinë B të basketbollit italian të meshkuj. Mbetet për t’u parë në këto vitet e ardhshme nëse Taflaj, i cili i ka të gjitha mundësitë, do të bëjë hapin e madh dhe të spikasë në arenën e më të mirëve të koshit, këtej dhe andej oqeanit.