Albaniansport.net 20.01.2016 16:10
ASNN – Berat Gjimshiti është prezantuar si një nga përforcimet e Atalantës. Mbrojtësi shqiptar u paraqit para gazetarëve së bashku me mesfushorin Remo Freuler. Futbollisti i Kombëtares tha se për të është një mundësi për të ecur përpara.
“E dija për interesimin e Atalantas dhe fola edhe me De Biazin dhe Tramexanin, i cili dikur ishte një lojtar këtu në Bergamo, – ka thënë Gjimshiti, duke folur gjatë një konference për shtyp ku edhe u prezantua.”
“Jam i lumtur për zgjedhjen që bëra, – vijoi ai, duke folur si futbollist i Atalantës. – Mendoj se është një mundësi për mua, për karrierën time dhe pjesëmarrjen në Evropianin e Francës.”
Gjimshiti pranoi se po pret me padurim që të përballet me Pol Pogbanë dhe të tregojë vlerat e tij. Berat Gjimshiti shton kështu numrin e kuqezinjve në Serinë A, të cilët tani janë pesë. Ai u largua nga FC Zyrihu pas disa sezonesh me ekipin e parë.