Gjergj Vyshka 20.01.2016 09:45
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Skive dhe Alpinizmit, Ilirjan Çule, dje ka bërë të ditur për mediet sportive projekt-kalendarin për vitin 2016. Ky projekt, të paktën edhe sipas asaj që ka deklaruar më parë Çulja, është në varësi të fondeve financiare që Ministria e Arsimit dhe Sportit do të japë për këto dy federata.
Për vitin 2016 janë parashikuar katër veprimtari për skitë, të cilat janë: Kampionati Kombëtar të rritur, të rritura, të rinj e të reja në Bigëll të Dardhës, 4 ditë në shkurt-mars, Kampionati kombëtar i “Kros Kauntrit” për të rritur e të rritura në Voskopojë, shkurt-mars, dy ditë, Kampionati lokal në Shishtavec të Kukësit në shkurt-mars, si dhe Aktivitete kombëtare “kros kauntri” në shtator në Korçë / Tiranë.
Po kështu janë parashikuar dhe tre aktivitete ndërkombëtare në të cilat do të marrin pjesë Erion Tola, Suela Mëhilli dhe Uilliam Zeneli. I pari është takimi i Sharrit, më pas një garë e Federatës Botërore të Skive, si dhe takimi në Berzovicë të Kosovës me ekip kombëtar.
Të gjitha janë në periudhën shkurt-mars, të gjitha nga tre ditë. Ndërkohë alpinizmi, që e ka të shtrirë veprimtarinë nga dimri në verë, ka më tepër veprimtari, teksa janë projektuar rreth 8 të tilla. Gjithçka nis me një ngjitje dimërore në Jezercë në mars, që zgjat 3 ditë.
Më pas vijon me Murin Alpin, në prill në Tiranë, Ngjitjen shkëmbore, tre ditë në periudhën maj-qershor. Vazhdon më pas me ngjitje të kualifikuar verore në korrik, me javën e guidave alpine në gusht, me ngjitjen e festave të nëntorit, dy ditë, dhe veprimtaritë kombëtare përfundojnë me takimin e Unionit Ballkanik në tetor në Tiranë.
Por në fakt alpinizmi e ka nisur gjithçka me ngjitjen në Kilimanxharo më 13 janar. Këto ishin dhe veprimtaritë e skive dhe të alpinizmit të planifikuara nga sekretari i përgjithshëm, Ilirjan Çule.