Albaniansport.net 19.01.2016 17:05
ASNN – Fiksimet e rezultateve kanë përfshirë edhe botën e tenisit. Pas një hetimi janë mbledhur prova se tenistë të mëdhenj të përfshirë në listën e 50 më të mirëve në botë kanë bërë fiksime rezultatesh. Madje edhe në turnetë e famshëm “Roland Garros” dhe “Uimbëlldon”. Kështu, hija e trukimeve është zgjatur deri në sportin e tenisit. E veçanërisht në ndeshjet e turneve të më të famshëm.
Sipas rrjetit prestigjioz televiziv britanik, BBC, hetuesit e autorizuar nga Federata Botërore e Tenisit kanë siguruar prova që inkriminojnë një grup tenistësh që e kanë lënë sportin por edhe që luajnë ende, të cilët kanë bërë fiksime rezultatesh të ndeshjeve. Janë 16 tenistë që kanë arritur të hyjnë në listën e 50 më të mirëve e midis tyre ka edhe fitues dhe finalistë të turneve të mëdha.
Tre ndeshje janë luajtur në “Roland Garros” dhe “Uimbëlldon”, ndërsa 8 lojtarë janë të dyshuar. Numri 1 i botës në tenis, Novak Xhokoviç ka pranuar se në 2006-ën i janë afruar 200 mijë dollarë për të lënë një ndeshje në Shën Pjetërburg. Kjo ka ndodhur kur Xhokoviç ishte një adoleshent dhe sapo kishte filluar karrierën dhe ndodhej në vendin e 16-të në botë.
Tenisti serb ka theksuar faktin se nuk i ka marrë ato para dhe e ka quajtur një fyerje të tmerrshme atë që i kishte ndodhur. Interesant është fakti se serbi nuk ka marrë pjesë në atë turne në Shën Pjetërburg. Xhokoviçi ka kërkuar nga organizatat botërore që “të vazhdojnë të jenë vigjilente përsa u përket fiksimeve të rezultateve, megjithëse ky fenomen, të jemi të vetëdijshëm nuk mund të zhduket kurrë”.