Albaniansport.net 18.01.2016 21:50
ASNN – Qendra Sportive “Kuq e Zi” sh.a., nëpërmjet faqes zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë të ditur se është hapur tenderi për projektimin, prishjen dhe ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë. Punimet për ndërtimin e stadiumit të ri pritet të fillojnë në muajin prill të këtij viti.
Kështu, muaji prill 2016 është përcaktuar për nisjen e punimeve të stadiumit të ri në kryeqytet. Ai do të ndërtohet mbi rrënojat e stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”. Për këtë Qendra Sportive “Kuq e Zi” sh.a. ka njoftuar hapjen e tenderit të hapur për “projektimin, prishjen dhe ndërtimin e kompleksit të stadiumit të ri kombëtar.
Nëpërmjet faqes së vet zyrtare, FSHF-ja ka publikuar të dhënat për bizneset ndërtues të cilat do të marrin pjesë në këtë tender. Qendra Sportive “Kuq e Zi” sh.a. ka ftuar subjektet e interesuara te paraqesin ofertat e tyre për këtë tender, i cili përfshin:
- Projekt-idenë e stadiumit të ri dhe të hapësirave të shërbimit përkatës që do të integrohen në godinën e tij.
- Metodologjinë dhe afatet kohore për projektin e detajuar të kompleksit të stadiumit të ri dhe të punimeve të prishjes së atij ekzistues.
- Modelin financiar të zbatimit të projektit.
Sipas projektit fillestar, të gjitha tribunat do të jenë të mbuluara, godina do të përmbajë rreth 14 mijë metra katrorë qendra biznesi, ndërsa 4 mijë metra katrorë do të vendosen në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyrat e saj. Stadiumi do të ketë një kapacitet prej 22 mijë spektatorësh.