Albaniansport.net 18.01.2016 16:20
ASNN – Skënderbeu është mund 4-1 nga Dinamo e Kievit, por ngushëllohet nga braziliani Renatinjo, i cili shënoi një “eurogol” për korçarët. Ka ardhur kështu një tjetër humbje për Skënderbeun në miqësoret e kësaj faze përgatitore dimërore.
Kampionët shqiptarë u mundën 4-1 në miqësoren kundër Dinamos së Kievit të zhvilluar në Marbeja të Spanjës gjatë fazës përgatitore të dimrit. Kjo ishte humbja e tretë pas dy ndeshjeve të para ndaj belgëve të Meshelenit dhe gjermanëve të Projsen Mynster.
Por është vetëm një miqësore dhe përballë një emri të madh të futbollit evropian rezultati nuk ka rëndësi. E rëndësishme është forma e lojtarëve dhe sidomos ajo e blerjeve të reja dhe Mirel Josa mori më shumë se disa sinjale pozitive.
Më shumë nga Renjatinjo, braziliani i afruar vetëm në merkaton e dimrit ishte autori i golit të vetëm dhe spektakolar për korçarët. Deri atëherë ukrainasit kryesonin me shifrat 3-0.
Dinamo e Kievit mbylli pjesën e parë me epërsinë minimale, ndërsa me rikthimin në fushë gjeti shpejt dhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës. Pas golit të Renatinjos, që ngushtoi përkohësisht rezultatin, Dinamo e Kievit shënoi sërish.
Ky gol vulosi përfundimisht fatin e ndeshjes në shifrat 4-1 në favor të ukrainasve. Përpara se të kthehet në Shqipëri për nisjen e fazës së tretë të Kategorisë Superiore, Skënderbeu ka në program edhe një tjetër ndeshje miqësore.