Albaniansport.net 18.01.2016 10:50
ASNN – Tirana e ka mbyllur fazën përgatitore të dimrit me një ndeshje miqësore me ekipin e Korabit. Trajneri i bardhebluve, Ilir Daja, ka provuar të testojë disa nga lojtarët e afruar në këtë skuadër. Në intervistën e dhënë për Televizionin Shqiptar, Daja tregon se merkato e dimrit për Tiranën nuk është mbyllur vetëm me lojtarët e ardhur deri tani.
Deri në 31 janar, që është afati i fundit i mbylljes së merkatos dimërore për skuadrat e kampionatit shqiptar, trajneri Daja shpreson që të ketë në ekip edhe lojtarin shumë të kërkuar prej tij, një sulmues “pykë”, që të jetë i aftë të shënojë gola, gjë që i mungon Tiranës prej kohësh.
Në ndeshjen miqësore me Korabin të zhvilluar në kompleksin sportiv “Skënder Halili”, ishte i pranishëm edhe presidenti i Tiranës, Refik Halili. Tirana ka fituar dje takimin miqësor në Kompleksin Sportiv “Skënder Halili” në kryeqytet përballë Korabit, e duke fituar me shifrat 4-2.
Pavarsisht pësimit të dy golave në çerekoren e parë, bardheblutë kanë vijuar të zhvillojnë një ndeshje mjaft të mirë duke dominuar në çdo moment kundërshtarin. Në këtë përballje janë aktivizuar edhe dy brazilianët, Hugo dhe Uilliams, që kanë bërë një takim tepër pozitiv duke dhënë sinjalet e duhura.