AlbanianSport.com 17.01.2016 16:15
ASNN – Si rrallëherë më parë, 5 federata sportive kanë vendosur të koordinojnë kalendarin e tyre të veprimtarive gjatë vitit 2016. Krerë të sporteve të ndryshme si Aeronautika, Rafting, motoçiklizmi apo disiplina të tjera të ashtuquajtura “sporte aventure”, që praktikohe në mjedise të hapura në natyrë, janë mbledhur për herë të parë për projekte afatgjata, që do të sjellin bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen.
Sportet që prezantuan arritjet dhe kalendarin e vitit 2016, në një takim të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në mjediset e Muzeut Historik, ku ishin të pranishëm protagonistë nga Federata e Motoçiklizmit, e Raftingut, e Çiklizmit, e Zhytjes dhe Federata Shqiptare e Aeronautikës, që do të bashkëpunojnë për promovimin e sportit dhe zhvillimin e mëtejshëm të tij. E mbiquajtur “Active Sport 2016”, një nismë e përbashkët e 5 federatave, u pagëzua dhe nisja e projekteve afatgjata.
Qëllimi i aktivitetit ishte të promovonte sportet e aventurës për vitin 2016, duke promovuar Shqipërinë në sytë e botës, duke e kthyer në një qendër të madhe të këtyre disiplinave në Ballkan dhe Evropë. Me këtë synim, Aeronautika shqiptare do të realizojë këtë vit një nga etapat e Kupës së Botës dhe vitin e ardhshëm eventin më të madh, Kampionatin Botëror të Precizionit.
Gjatë këtij takimi, Federata e Motoçiklizmit ndau çmimet për kampionatin e 2015-s, ku kishte fitues nga kategori dhe disiplina të ndryshme. Sportisti i vitit 2016 u shpall Blerim Aliji, nga Kosova. Po kështu, Federata e Motoçiklizmit prezantoi gjithashtu kalendarin për kampionatin e 2016-s, i cili do të ketë 3 disiplina, që më konkretisht janë “Supermoto”, “Enduro” dhe “Motocross”.