Gjergj Vyshka 17.01.2016 09:35
Taekuondoistët shqiptarë nuk janë paraqitur në nivelin e pritshëm në turneun kualifikues për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, që për zonën e Evropës është duke u zhvilluar në Stamboll. Në kategorinë e peshës trupore deri në 68 kg, Ledian Çekaj, edhe pse ka bërë një garë dinjitoze, në fund është mundur 4-2 nga lituanezi Klemas.
Ndërkohë në peshën deri në 58 kg, Egers Aliu është mundur thellësisht 5-15 nga irlandezi Uollei. Aq sa në profilin e tij në rrjetën social “Facebook”, sportisti do të shkruante: “Pa sukses sot për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike! Akoma më shumë punë dhe fjalë pak.”
“Gjithashtu falënderoj ata që më mundësuan pjesëmarrjen time në mënyrën më të mirë dhe me sa më pak siklete”, – ka shtuar Aliu. E shpresa e vetme për një normë shtesë në kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” është Ada Demneri, e cila sot në kategorinë e peshës trupore deri në 57 kg, do të ndeshet me qiprioten Despina Pilivaki.