AlbanianSport.com 17.01.2016 08:45
ASNN – Elseid Hysaj ka shkëlqyer dje sërish për Napolin, që ka korrur një fitore ndaj Sasuolos dhe shijon kryesimin bindës në Serinë A, duke provuar majde të shkëputet drejt titullit “kampion”. Shkodrani përjetoi një tjetër mbrëmje si fitues me Napolin në Serinë A, duke forcuar pozitat si kryesues.
Shumë kontribut , si përherë, nga mbrojtësi kuqezi, në suksesin 3-1 ndaj Sasuolos në sytë e dhjetëra mijë tifozëve në “San Paolo”. Edhe pse skuadra e trajnerit Sarri provoi dizavantazhin për herë të parë në këtë kampionat, sërish ajo pati forca për të triumfuar, duke u mbështetur së pari tek shënuesi më i mirë i sezonit, Gonzalo Higuain.
Sulmuesi argjentinas shënoi dy herë, tani me bilancin 20 gola në 20 ndeshje, veçse në krah pati një skuadër që e mbështeti, ku ndër më të mirët ishte sërish Hysaj. Shkodrani garantoi siguri në një përballje të rrezikshme, ku skuadra mike ishte pranë barazimit deri në sekondat e fundit.
Dhe kjo, pavarësisht mungesave të lojtarëve të rëndësishëm si Berardi apo Kanavaro. Bën vërtet përshtypje që ky futbollist e ka kaq të thjeshtë të luajë në nivelet më të lartë të mundshëm në Serinë A. Kështu, Hysaj po bind gjithnjë e më shumë se ka ardhur koha që ai të luajë në një klub edhe më të madh se Napoli.
Për momentin, gjithsesi, Hysaj nuk dëshiron shpërqëndrime, pasi synon objektivin e madh, titullin “kampion”. Me një Higuain në formë të madhe, dhe me një ekip që luan fort e bukur, Juventusi e Interi kanë gjetur një rival të madh.