AlbanianSport.com 16.01.2016 19:55
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, Drejtori Sportiv i klubit gjerman të Borusias së Mënshengladbahut, Maks Eberl, ka deklaruar se Granit Xhaka nuk do të largohet gjatë merkato së janarit, por as nuk ka konfirmuar nëse do të qëndrojë edhe pas merkato së verës.
“Gjithmonë ka situata kur çdo klub duhet të mendoj për secilën mundësi zgjedhjeje, – ka thënë Eberl për televizionin gjerman WDR. – Shitja e mundshme e Xhakës varet nga suksesi jonë sportiv. Varet nga paraqitjet e Granitit në fushën e blertë dhe, sigurisht, edhe nga çmimi.”
Më tej, ai ka theksuar se nuk ka ndonjë çmim që tani mund ta largojë mesfushorin shqiptar nga Borusia e Mënshengladbahut. “Tani për tani jam shumë i lumtur që ai është me ne, dhe shpresoj që ai të qëndrojë për një kohë të gjatë, – ka pohuar zyrtari i klubit gjerman. – Nuk ka ndonjë shifër që mund ta largojë atë tani.”
Për Granit Xhakën interesim të madh kanë shprehur një numër skuadrash të mëdha evropiane, si Barcelona, Liverpuli, Mançester Junajtid, Bajerni i Mynihut dhe Arsenali.