Treshja e të huajve, maqedonasi Miran Maksuti, boshnjaku Denis Zvoniç dhe malazezi Ivan Kalajziç, të cilët për tre ditë me radhë ishin pjesë e kontingjentit stërvitor të Vllaznisë në kampingun ulqinak, nuk ka arritur ta bindë trajnerin shkodran Armando Cungu.
Ai ka marrë vendim që të mos i mbajë më në gjirin e skuadrës. Në fakt për dy të parët opinioni ishte i tillë që në ditën e parë, opinion të cilin e përcolli ekskluzivisht për “Sport Ekspres” vetë trajneri Cungu. Por megjithatë ato me kërkesën e menaxherëve që i shoqërojnë vijuan të jenë në kampingun ulqinak deri në mesditën e djeshme.
Madje, së bashku edhe me malazezin e ardhur nga klubi i Tivarit, Kalajziç, u testuan edhe në miqësoren me Besëlidhjen, atje ku nuk e bindën Cungun me lojën e tyre. Në të tilla kushte, pasi kanë zhvilluar edhe një seancë stërvitore paraditen e së premtes, ato janë larguar nga Ulqini duke mos qenë më në planet e Vllaznisë.