Gjergj Vyshka 16.01.2016 14:40
Peshëngritja shqiptare, të paktën edhe sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës, Agron Haxhihyseni, e ka shtyrë për dhjetë ditë grumbullimin e ekipit kombëtar të të rriturve.
Në ditët e fundit të dhjetorit ishte deklaruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, që 15 janari ishte nisja e grumbullimit për kombëtaren, që do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të të rriturve në prill në Oslo.
Por të paktën edhe sipas Haxhihysenit, më parë më 23 janar në ambientet e Akademisë së Shkencave do të zhvillohet asambleja vjetore dhe të hënën e ardhshme, më saktë më 25 janar, do të bëhet dhe grumbullimi i kuqezinjve.
Pritet të jenë 8 meshkuj dhe 4 femra, sepse kërkohet që në Oslo të shkohet me ekip të plotë. Dhe jo vetëm kaq, por kërkohet edhe kapja e podiumit që të shkohet me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Atje ku pretendohet për Caljen dhe Qerimaj, të cilët sidoqoftë, duhet të ngjiten në podium.