Largohet me mirëkuptim malazezi Paviçeviç dhe Kdouh, por me amerikanin Dragoi gjërat janë ende të hapura, ndërsa nuk po gjendet konsensusi në bisedime. Ndërkohë që trajneri Armando Cungu, së bashku me dy kolegët e tij Madzar dhe Dani, vijojnë përgatitjet në kampingun ulqinak, në krahun tjetër vijon puna edhe për merkaton. Por më përpara se të nisin zyrtarizimet për të ardhurit e rinj, drejtuesit e klubit Vllaznia kakë kërkuar që të mbyllin problemet me të huajt që trajneri Cungu i ka shpallur si të panevojshëm.
Dhe për rrjedhojë bashkëjetesa me ta nuk do të jetë më e mundur. Është fjala për Paviçeviçi, Kdouh dhe Dragoi. Me dy të parët gjërat janë normalizuar duke zgjidhur me mirëkuptim kontratat që ato kanë pasur të lidhur me KF Vllaznia. Por për të tretin, Dragoi, situata është akoma në vëzhgim e sipër pasi palët nuk kanë rakorduar saktësisht detyrimet që i kanë njëri-tjetrit. Në lidhje me malazezin Darko Paviçeviç burime zyrtare pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se futbollisti në fjalë dje ka pasur një bisedë të zgjatur me administratorin e Vllaznisë, Astrit Gjyrezi.
Në prani edhe të financierit Denis Fani u arrit të gjendet akordi aty rreth orëve të pasdites, ndërsa kontrata është zgjidhur me mirëkuptim mes palëve. Në prani edhe të menaxherit të Paviçeviçit, shqiptaro-malazezit Aleksandër Pranvera, pas likujdimit edhe të detyrimeve të pjesës së qëndrimit si pjesë e Vllaznisë, të dy palët kanë rënë dakord që përmes firmosjes së akt-marrëveshje të zhvlerësojnë përpara kohe kontratën e nënshkruar në fillim të sezonit 2015-2016. Që do të thotë se tashmë malazezi është lojtar i lirë.
Nga sa bëhet e ditur, akt-marrëveshja e nënshkruar mes Paviçeviçit dhe administratorit të KF Vllaznia, Astrit Gjyrezi, do të depozitohet në Federatën Shqiptare të Futbollit duke mbyllur përfundimisht aludimet e pretenduara nga malazezi për ta çuar çështjen në organizmin sportiv të FIFA-s. Gjithnjë nga burimet zyrtare pranë klubit kuqeblu bëhet e ditur se me të njëjtat procedura janë duke u ndjekur edhe me futbollistin tjetër Mohammad Kdouh.
Në kontaktet me menaxherin e tij, ashtu si edhe me malazezin Paviçeviç, janë gjetur elemenët e mirëkuptimit për ta mbyllur me mirëkuptim përpara kohe edhe me të kontratën me KF Vllaznia. Përsa i përket çështjes së amerikanit Dragoi, të njëjtat burime në klubin Vllaznia pohojnë se pretendimet e ngritura nga ana e tij nuk korrespondojnë me ato që ka të protokolluar vete klubi kuqeblu. Sidoqoftë edhe pse në të tilla situata, nisur edhe nga shifra jo shumë shqetësuese që pretendon Dragoi, drejtuesit e klubit nuk shprehin zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës mes të dy palëve.