AlbanianSport.com 16.01.2016 12:55
ASNN – Shtohet kolonia e futbollistëve shqiptarë në Serinë A, pasi Berat Gjimshiti transferohet te Atalanta. Futbollisti bën kështu kapërcimin e madh në karrierën e tij. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare është transferuar te Atalanta në kampionatin italian, duke shtuar radhët e futbollistëve shqiptarë që luajnë në Serinë A.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat nuk japin detaje në lidhje me blerjen e kartonit të mbrojtësit të kombëtares shqiptare. Megjithatë, sipas tyre, Atalanta ka bërë një goditje të rëndësishme në merkaton e janarit duke e marrë Berat Gjimshitin nga Zyrihu me një çmim okazion.
Kjo pasi kontrata e futbollistit 22-vjeçar me klubin zvicerian skadonte në fund të sezonit dhe ai mund të largohej me parametra zero. “Corriere Dello Sport”, që dha e para lajmin i bën një profil të shkurtër Berat Gjimshitit, duke e cilësuar atë si një mbrojtës shumë të fortë.
Sipas kësaj gazete, ai është futbollisti të cilit trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi I besoi disa prej ndeshjeve më të rëndësishme në kualifikimin për në finalet e Euro 2016. Futbollisti do të zhvillojë testet mjekësore, ndërsa të hënën pritet të prezantohet zyrtarisht nga Atalanta.
Me transferimin te skuadra nga Bergamo, Berat Gjimshiti bëhet lojtari i pestë i Kombëtares shqiptare që luan në Serinë A, pas Etrit Berishës, Elseid Hysajt, Arlind Ajetit dhe Rei Manajt. Ky është një tjetër lajm i mirë për De Biazin që do të ketë më shumë zgjedhje dhe lojtarë në formë gjatë finaleve të Euro 2016.