Gjergj Vyshka 16.01.2016 11:10
Drejtuesit më të lartë të Federatës Shqiptare të Mundjes më 26 janar do të jenë në Lozanë. Presidenti Martin Biba, sekretari i përgjithshëm Ndriçim Spahiu dhe zëvendëspresidenti Ndoc Çokaj do të takohen me drejtuesit më të lartë të Federatës Botërore të Mundjes (UWW), pikërisht me Nenad Laloviçin.
Të gjithë janë duke përgatitur dokumentet e tyre, ndërsa në këtë takim do të jetë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Sepse nga ndërkombëtarët do t’i kërkohet të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Federatës Shqiptare të Mundjes.
Sepse, që pas zgjedhjeve të 30 majit, kur u rivotua presidenti Martin Biba, nga ana e KOKSH-it Federata Shqiptare e Mundjes nuk është njohur asnjëherë si institucion e jo vetëm kaq, por ka pasur edhe një periudhë të bllokimit të fondit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, gjë që më pas u lirua.
Jo vetëm kaq, por nga KOKSH ka pasur dhe anashkalime për shkak të përzgjedhjeve të sportistëve në aktivitetet ndërkombëtare, apo dhe të ftuar të tjerë nëpër ceremoni për shkak të inateve personale. Të gjitha këto duket se do të zgjidhen në takimin e 26 janarit, ndërsa mundja shqiptare është duke përgatitur dhe dokumentet që do t’ia paraqesë Laloviçit.