Gjergj Vyshka 16.01.2016 07:40
Kanë shkuar vetë në komisionin teknik, kanë mësuar shortin e sot janë gati për të garuar me shpresën se do të marrin normën e kualifikimit për në “Rio de Zhaneiro 2016”. Egers Aliu në peshën deri në 58 kg dhe Ledian Çekaj në peshën deri në 67 kg do të jenë të parët nga taekuondistët shqiptar që do të zbresin në tapet me shpresën se do të kualifikohen për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Kapri bën “prapakthehu”: Në Stamboll vetëm për hir të Ada Demnerit
Por këtu ndodh dhe absurdi, sepse të dy djemtë, së bashku dhe me Ada Demnerin, e cila është përfituese e bursës olimpike, janë paraqitur vetëm dhe pa trajner e drejtues delegacioni në Stamboll. E kjo jo vetëm në mbledhjen e komisionit teknik, ndërsa së paku Federata Shqiptare e Taekuondosë e ka bërë regjistrimin e tyre, por dhe në hedhjen e shortit. Trajnerë grek e turq kanë marrë përsipër të shoqërojnë Aliun dhe Çekajn.
Ndërsa Kapri, edhe për të mos e lënë vetëm Demnerin, është nisur dje në mbrëmje në Stamboll me shpenzimet e veta. Për Demnerin shorti hidhet sot, kurse Çekaj e Aliu, ky i fundit në dhjetë sportistët më të mirë në vend, luajnë fatet e tyre sot në tapet. E pafalshme për keorganizimin e këtij delegacioni, ndërsa njëri pas tjetrit kanë dhënë dorëheqjen Kapri dhe Vulka. I pari për arsye ekonomike dhe për shkak të zhvillimit të asamblesë të dielën.
Kurse i dyti për arsye së është në kursin e Administratorëve Sportiv. E gjithë kjo situatë, teksa Shqipëria kërkon të ketë më shumë sportistë me normë kualifikimi në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, duhet të ishte organizuar ndryshe nga Federata Shqiptare e Taekondos (World). Në mënyrë që sportistët të mos ishin vetëm në Stamboll, sepse kjo e taekuondosë nuk ka ndodhur me asnjë delegacion sportiv në vend.
Mirëpo tashmë jemi në kushtet e faktit të kryer dhe Aliu, Çekaj e Demneri përfaqësohen vetëm në Stamboll. Me shpresën se po vetëm do ta arrijnë normën e kualifikimit për në Lojërat Olimpike.
Shorti i sportistëve tanë në turneun olimpik
Pesha deri në 58 kg
Egers Aliu – Xhek Uollei (Irlandë)
Pesha deri në 68 kg
Ledian Çekaj – Auriam Klemas (Lituani)
Shënim: Për Ada Demnerin në peshën deri në 57 kg shorti hidhet sot