ASNN – Në testimin e parë zyrtar që pati mundësi t’i bëjë skuadrës, në miqësoren e zhvilluar përballë lezhjanëve, trajneri i sapo emëruar në krye të kuqebluve, Armando Cungu, ka mbetur pjesërisht i kënaqur. Ja intervista e tij për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, që AlbanianSport.com jua sjell sot dhe nesër në dy pjesë dhe sot është pjesa e parë, ndërsa e dyta nesër.
– Barazim 1-1 në miqësoren me Besëlidhjen… më i rëndësishëm rezultati, apo loja e skuadrës?
– Patjetër që ka rëndësi edhe rezultati, krahas lojës, normalisht që në fund të fundit futbolli është lojë me dy porta për të çuar atë top në rrjetë. Normalisht që kërkohet loja, sepse nga loja vjen edhe rezultati, por në fund të fundit futbolli luhet për këtë rezultat. Kështu që do t’i kërkojmë të dyja me aq mundësi që kemi në dispozicion.
– I kënaqur me lojën e zhvilluar?
– Pjesërisht me ju thënë të drejtën. Pjesën e parë kishte momente të mira të ekipit normalisht, megjithatë ndryshuam në pjesën e dytë, i dhamë mundësi të gjithë ekipit për t’u aktivizuar, por njëkohësisht për të krijuar edhe unë si trajner një ide mbi vazhdimësinë e sportistëve, apo krijimin e grupit me të cilin mendojmë ta nisim lojën që në minutat e para. Megjithatë ka vështirësi, ka probleme, por e kam theksuar edhe më përpara nuk jemi magjistar që mund t’i ndryshojmë gjërat me një ditë, apo me një javë. Normalisht që duhet punuar shumë, megjithatë me kohën e pakët që kemi në dispozicion do të ngulmojmë të riparojmë ato probleme të cilat vihen re në fushën e lojës dhe njëkohësisht të shohim përpara për një përmirësim të lojës,
– Lojtarët në provë, ka ndonjë shans që të jenë pjesë e Vllaznisë?
– Të them të drejtën nuk jam i kënaqur për lojtarët, të cilët janë ofruar. Fatkeqësisht Vllaznia ndodhet në këtë situatë dhe shumë kush mendon që duke parë skuadrën që përpëlitet për të rënë nga kategoria, mendojnë se gjithkush mundet të vijë në provë, mundet të veshë edhe nga rruga fanellën kuqeblu. Megjithatë në kushte të tjera do të flisnim ndryshe. Ndoshta nuk do t’i kisha lënë as të zhvisheshin shumë kënd nga këto persona që vijnë. Sidoqoftë jemi të detyruar të shohim çdo kënd, të besojmë çdo kënd, por gjithmonë të shohim në fushën e lojës ose t’i besojmë menaxherëve pa i parë lojtarët konkretisht në fushë. Kjo është minimalja që mundet të bëjë të paktën në këto momente një trajner.
– Që do të thotë se asnjëri nga tre lojtarët që ishin për provë nuk do të qëndrojë tek Vllaznia?
– Nuk më bindin, sepse nëse një lojtarë do të vijë tek Vllaznia duhet të bëjë diferencën. E thashë edhe një herë, pavarësisht kushteve, që megjithëmend është domosdoshmëri për t’u futur në merkato. Por kjo nuk është thjeshtë ndërhyrje për numra që hajde të sjellim dy-tre burra këtu dhe kaq dhe të dështojmë mandej. Do të mundohemi të gjejmë nëse do të kemi fatin për të bërë të mundur ardhjen e lojtarëve të cilët i vlejnë realisht ekipit. Nuk është absolutisht e lehtë për t’i gjetur, jo në këto kushte, por edhe sikur të jesh në kushte komode është shumë e vështirë për të gjetur lojtarë cilësore, të cilët mund të shërbejnë për vazhdimësinë. Megjithatë mbesim me shpresën deri në fund të federimeve që nëse do të vijnë do të kemi fatin të mbërrijë ndonjë lojtarë që do të na shërbejë.
Vijon nesër…