AlbanianSport.com 15.01.2016 16:05
Viron Bezhani, si i pari i olimpizmit shqiptar, ka pranuar se janë kryer disa takime me kryeministrin Rama, i cili është treguar i gatshëm për ndërtimin jo vetëm të Parkut Olimpik në Tiranë, por dhe tre qendrave të tjera në vend. “Mirëpo, – thotë Bezhani, – e keqja vjen nga poshtë, sepse të gjithë thonë “mirë-mirë”, por nuk bëjnë asgjë dhe zvarriten.”
“Në Kosovë bëhet shumë për sportin, sepse jo vetëm shteti, por dhe komunat japin shumë për infrastrukturën dhe cilësinë, – ka vijuar ai. – Nëse do të bëhemi të gjithë bashkë e do të ngremë zërin vazhdimisht do të kemi dhe një infrastrukturë më të mirë. Sigurisht që do të ishte mirë që KOKSH të ishte maja e sportit, apo jo që të ndante “grant”-in sipas meritave.”
“Por gjithnjë do të krijonte keqkuptime përsa kohë sporti është pjesë e dikastereve shtetërore dhe mbetet në fund, – ka theksuar kreu i KOKSH-it. – Megjithatë shpresojmë që shpejt të kemi një infrastrukturë ndryshe për sportet e tjera”. Kësisoj tashmë ethet e kualifikimit në Olimpiadën e Brazilit kanë mbërthyer sportin shqiptar, kurse Gega e Hoxha janë të sigurt.