Gjergj Vyshka 15.01.2016 14:35
“Kisha që nga 1999 që nuk kisha hyrë në Pallatin e Sportit të Elbasanit, por ai ishte katandisur si mos më keq, – ka rrëfyer trajneri i Barletit Volej, Hasan Gurabardhi. – Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, përpara se të vihej kryetar Bashkie ka qenë shef klubi i shumësportëshit e si i tillë duhet të kishte bërë më shumë për atë Pallat në të cilin hyn sa herë ka raste politike.”
“Hysen Domi dhe Artur Dhima, dy nga figurat e volejbollit të Elbasanit, duhet të bëjnë më shumë jo vetëm për rritjen e sportit të rrjetës për atë qytet, por dhe Pallatin e Sportit që po degradon, – ka vijuar veterani i volejbollit shqiptar. – Por kjo gjendje është kudo, ndaj kjo është thirrje për të gjithë për një përkujdesje më të madhe në infrastrukturën sportive.”
Gurabardhi ka kujtuar që kohë më parë, që nga mjeshtrit e rrjetës Koja e Tartari pat mësuar që njerëzit e mbushnin një orë përpara Pallatin e Sportit “Partizani” dhe me frymën e tyre ngrohej salla. Pra një gjendje alarmi me të cilën është bashkuar gjatë emisionit “Kolor” në Televizionin Shqiptar dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.