AlbanianSport.com 15.01.2016 13:50
ASNN – Një “kampion bote” mbetet i tillë për shumë arsye dheduket se vitet thjesht e bëjnë edhe më të mirë. Për rrjedhojë, me paraqitjet e shkëlqyera me klubin e tij, Arsenalin, në vitin sapo lamë pas, ka bërë që Mesut Ëzilli të zgjidhet si lojtari gjerman i vitit 2015.
Një dominim absolut nga gjermani me origjinë turke, i cili ka arritur të marrë më shumë se 45.9 % të votave në anketën në faqen zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit në Internet, duke lënë pas Tomas Myler, i cili u votua nga 15.9% e tifozëve, ndërsa Jonas Hektor mori 13.6% të preferencave.
Në 5 vitet e fundit, ky çmim simbolik, por domethënës shkon për herë të katërt për lojtarin e Arsenal, i cili në sezonet e kaluar ka qenë pjesë e Realit të Madridit. Ndërsa në vitin 2014 ishte Toni Kros, ai që e fitonte këtë çmim, duke i prishur vazhdën Ëzillit. Ky i fundit ishte titullar në 8 ndeshje me Gjermaninë në 2015 dhe shijoi 5 fitore në to.
Në nivel klubesh, 16 pasimet e tij për gol dhe 87 rastet e krijuara për gol këtë sezon, përbëjnë statistikën më të mirë të çdo futbollisti në 5 kampionatet më të rëndësishëm të Evropës.