Gjergj Vyshka 15.01.2016 09:20
KS “Ali Demi” është gjysmëfinaliste e turneut të pestë ndërkombëtar të futbollit të sallës, që është duke u zhvilluar në Ulqin. Në ndeshjen e fundit, fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, kanë qenë përballë Vllaznisë, të cilën e kanë mundur 2-3.
Golave të Alibalit dhe Gogës, “alidemsat” e Ergys Kadiut i janë përgjigjur me golin e portierit Klodian Rrapi, i cili ka shënuar nga porta në portë, atëherë kur Vllaznia ishte me pesë lojtarë në fushë.
Si dhe me golat e kroatëve Darko Duvnjak dhe Ivica Majiç. KS Ali Demi, që tashmë është duke fituar përvojën ndërkombëtare edhe me aktivizimin e futbollistëve të huaj, sot do të ketë gjysmëfinalen në ora 18:00, ndërsa do të jetë përballë Otrantos ose Anës së Malit.
Mbërritja në gjysmëfinale, apo pse jo dalja në finale dhe fitimi i trofeut do të jetë një sukses i madh për KS Ali Demin, që e ka përfaqësuar denjësisht futbollin e sallës shqiptar në këtë turne, i cili përfundon të shtunën.