ASNN – Ndaj lezhjanëve kuqeblutë e Cungut kanë bërë një paraqitje të mirë në pjesën e parë, kurse në të dytën të aktivizuarit kanë zhgënjyer, ndërsa kanë marrë kritikat e trajnerit shkodran. Vllaznia ka luajtur me dy fytyra në miqësoren ndaj Besëlidhjes së Lezhës, e cila është luajtur pasditen e së enjtes në një nga fushat sportive të kampingut ulqinak “Olimpik”. Një ndeshje, e cila ka tërhequr një interes mjaft të madh, jo vetëm nga sportdashësit shkodranë dhe ato lezhjanë, por edhe nga stafet e tyre drejtuese përkatëse.
Kështu nga kampi kuqeblu, krahas drejtorit sportiv Armir Grima, që si zakonisht shoqërohet nga miku i tij, presidenti i futbollit të femrave të Vllaznisë, Lazër Matija, për të ndjekur këtë ndeshje udhëtuan posaçërisht nga Shkodra edhe kryetari i Bordit Mbikqyrës Vllaznia, Shpëtim Quku, si dhe administratori i KF Vllaznia, Astrit Gjyrezi. Ndërkohë, edhe në kampin tjetër interesimi ishte po i tillë me një staf të zgjeruar drejtuesish dhe zyrtarësh mes të cilëve spikatnin presidenti i Besëlidhjes, Gjok Ndoka, kryetari i Këshillit Bashkiak Lezhë, si dhe nënkryetari i Qarkut Lezhë, Agustin Marku.
Që në vërshëllimën e parë të gjyqtarit vendës Bllavo Cetkoviç ka qenë një ndeshje e luftuar. Vetë sulmet dhe kundërsulmet e të dy formacioneve përkatëse të jepnin përshtypjen e një ballafaqimi interesant të Kategorisë Superiore. Lezhjanët janë të parët që shënojnë në portën e Vllaznisë, pas një harkimi nga krahu, por anulohet goli për pozicion jashtë loje. Më pas loja e shpejtë, me ritën dhe kombinacione, prodhon më tepër raste shënimi në portën e Bejtes. Madje në njërën tyre gjyqtari kryesor heziton të jap një 11-metërsh në dukje flagrant në favor të Vllaznisë.
E nuk vonon, por në minutën e 22-të vjen edhe goli i epërsisë për shkodranët e drejtuar nga trajnerit Armando Cungu. Një harkim i dhënë nga e djathta prej Polizoi Arbrit, brenda zonës lezhjane, kalohet në rrjetë nga shqiptaro-maqedonasi Maksuti, i cili është ende në provë. E në përfundim 45 minutat e para janë mbyllur me epërsinë e Vllaznisë, 1-0. Në pjesën e dytë, dy trajnerët përkatës, Cungu për Vllazninë dhe Krepi për Besëlidhjen, nisin e bëjnë zëvendësime të shumta duke lëshuar në fushë të gjithë kontingjentin e lojtarëve që kishin në dispozicion.
Zëvendësime këto që në fakt rezultuan më pozitive për skuadrën lezhjane, e cila jo vetëm që arrin të barazojë me një gol mjeshtëror shënuar nga shtatlarti Arenc Dibra, por nëse do të ishin më të vëmendshëm mund të shënonin përsëri për ta fituar ndeshjen. Sidoqoftë, mbyllet 1-1 kjo miqësore e Ulqinit midis Vllaznisë dhe Besëlidhjes.
Vllaznia – Besëlidhja 1-1
Shënues: Maksuti 22’ / Arenc Dibra 67’
E enjte, 14 Janar 2016, ora 14.30
në fushën sportive “Olimpik” Ulqin-Mali Zi
Vllaznia: Dragojeviç, Arbri, Cicmil, Zvoniç, Marku, Krymi, Bardulla, Sefa, Shtubina, Çinari, Maksuti. U aktivizuan: Sherri, Gurishta, Pjeshka, Hakaj, Borshi, Kapaklia, Ahmeti, Dyca, Kiri, Kalajziç, Beci. Trajner: A. Cungu
Besëlidhja: Bejte, Kastrati, Sykaj, Boci, K. Dibra, Zefi, Hepaj, Xhorxheviç, Hajdari, Marashi, Bajiç. U aktivizuan: Demi, Shytani, Rexha, Thaçi, Gjokeja, Vukniroviç, A. Dibra. Trajner: K. Krepi
Gjyqtarë: B. Cetkoviç, R. Cetkoviç, H. Hasmega (Mali i Zi)
Karton i verdhë: Boci