Gjergj Vyshka 15.01.2016 07:05
Presidenti i KOKSH-it: “Presim edhe të tjerë, tek peshëngritja Calja e Qerimaj, por pse jo edhe në boks e në xhudo, atje ku një kosovare mund t’i bashkëngjitet ekipit tonë. Dopingu çështë botërore që duhet luftuar.” Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i ftuar në emisionin “Kolor” në Televizionin Shqiptar, atje ku kanë qenë edhe dy gazetarët sportiv Altin B. Kodra dhe Eno Skarço, ka rikonfirmuar edhe një herë dy sportistët e parë të kualifikuar me normë për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Bëhet fjalë, ashtu sikurse është thënë edhe herë të tjera, për Luiza Gegën në atletikë me normën A dhe Sidni Hoxhën në not me normën B. Por për pritshmëritë e të parit të olimpizmit shqiptar shkojnë edhe më tej duke shpresuar që Gega me gjendjen e saj të mirë që ka, teksa është duke u stërvitur intensivisht në Iten të Kenias, të arrijë deri në zonën e medaljes për ta sjellë atë për herë të parë në Shqipëri. “Ju e paskeni marrë të gjithë informacionin e duhur për atë që i përket delegacionit shqiptar, – tha Bezhani, -vetëm me një korrigjim që në Pekin kanë qenë 11 sportistë, kurse në Londër 10.”
“Përgatitjet tona kanë kohë që kanë nisur që nga kontaktet e vazhdueshme dhe korrekte me organizatorët e kësaj veprimtarie madhore, – ka vijuar ai. – E më pas dhe me përgatitjen e sportistëve tanë, të cilët i kemi dërguar për t’u përgatitur jashtë në mungesë të kushteve infrastrukturore në vend. Jo vetëm Gega në Kenia, apo dhe Hoxha në Amerikë, por dhe një boksier ndodhet në Gjermani, sikurse dhe të tjerë. Sepse edhe bursat olimpike që jepen janë për përgatitjen e këtyre sportistëve, të cilët t’u jepet shansi për t’u kualifikuar për në Olimpiadë.”
“Ne sot kemi dy sportistë me normë, duke i shtuar këtu dhe dy ftesa, një në atletikë dhe një në not, e kështu bëhen katër, – ka vijuar kreu i lëvizjes olimpike shqiptare. – Por ne mendojmë dhe kemi mundësinë që të shkojmë me gjashtë, apo dhe shtatë sportistë të kualifikuar, sepse garat janë në vazhdim dhe përfundojnë në mesin e qershorit.” Kësisoj tashmë ethet e kualifikimit në Olimpiadën e Brazilit kanë mbërthyer sportin shqiptar, kurse Gega e Hoxha janë të sigurt.