Në ndryshim nga dy ditët e mëparshme, atje ku cikli stërvitor ka qenë me nga dy seanca brenda ditës, e enjtja ka në program vetëm ndeshjen miqësore që do të luhet në orën 14:30 në mes Vllaznisë dhe Besëlidhjes së Lezhës. Në këtë mënyrë për kuqeblutë sot nuk do të ketë seancë të paradites, të cilët janë lënë pushim. Por ndërkohë, kjo hapësirë mund të shfrytëzohet nga stafi teknik për të organizuar një seancë teorike brenda mjediseve të hotelit ku është e akomoduar skuadra.
Kjo është ndeshja e parë që trajneri Armando Cungu do të jetë në drejtim të skuadrës kuqeblu, e cila, edhe pse e nivelit miqësor, pritet me interes për njëshin e stolit shkodran. Pasi që këtu nisin bazat e para të projektit për ndërtimin e formacionit të parë, sepse ndeshja e parë zyrtare, ajo e Kupës së Shqipërisë me Skënderbeun, është në prag.
Jo vetëm për Cungun, por ballafaqimi në fjalë me lezhjanët pritet me interes edhe nga tifozeria shkodrane, e cila, falë edhe afërsisë gjeografike që Shkodra ka me Ulqinin, parashikohet të jetë e shumtë në numër në fushën sportive “Olimpik”. Ndonëse ka vetëm 5 ditë në krye të ekipit, ata presin të shikojnë Vllazninë e “erës Cungu”, me shpresë se në ballafaqimet e pjesës së dytë të sezonit, të bëjë hapa përpara drejt ngjitjes në renditje për t’iu larguar zonës së ftohtë të rënies nga Kategoria Superiore.