AlbanianSport.com 12.01.2016 19:05
ASNN – Sipas asaj që raporton “Top Channel”, qeveria shqiptare i ka hapur rrugën tashmë edhe ligjërisht me më pak kufizime, garës së re për projektet e ndërtimit të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Nëpërmjet ndryshimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave të mëparshëm, për shoqërinë aksionere të qeverisë me Federatën Shqiptare të Futbollit, grupet e interesit do të kenë më tepër avantazhe dhe mund të jenë më tepër të interesuara rreth investimit në këtë projekt madhor të infrastrukturës sportive.
Shfuqizimi i kushtit për ndryshimin e destinacionit, i jep mundësinë ofertuesëve që të marrin pjesë edhe në sektorin josportiv të këtij projekti, shkruan media në fjalë. Modernizimi i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” do të ketë një destinacion të dyfishtë, atë sportiv dhe jo sportiv. Pjesa qendrore e projektit dhe ndërtimit do të ketë destinacion sportiv, publik, të pandryshueshëm, në përputhje me parametrat e Rregullores së Infrastrukturës së Stadiumeve të UEFA-s, ndërkohë që pjesa josportive janë hapësirat e biznesit që do të përmbajë ky stadium.
Projekti i vetëm i miratuar deri në këto momente, vjen nga një kompania italiane, e cila merr përsipër nëpërmjet konçensionit ndërtimin e stadiumit, por për këtë kërkon një garanci financiare, shtetërore, një kusht që rrezon këtë ofertë, pasi qeveria nuk pranon të japë asnjë garanci të tillë. Si rrjedhojë po mendohet sigurimi i fondeve në mënyra alternative, për ndërtimin e stadiumit të ri dhe një mënyrë mund të jetë shitja e mjediseve të biznesit përpara fillimit të ndërtimit të projektit. Shumë shpejtë do të fillojë dhe procedura e tenderit të ri për ofertat e reja.
Në marrëveshjen fillestare të shoqatës “Kuq e Zi” që administron stadiumin, me aksionerë 75% FSHF dhe 25% Qeverinë Shqiptare, ishte parashikuar se të dyja palët bashkë do të paguanin rreth 10 milionë euro në ndihmë të projektit për stadiumin e ri, ndërkohë që pak ditë më parë, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, vetëm Federata Shqiptare e Futbollit miratoi një fond prej 10 milionë euro për këtë projekt. Në bazë të këshillimeve të UEFA-s dhe studimeve të fizibilitetit, Stadiumi i ri Kombëtar do të ketë një kapacitet rreth 23 mijë-vendësh, ndërkohë që projekti për ndërtimin e tij shkon rreth 60 milionë euro.