AlbanianSport.com 12.01.2016 11:35
SNN – “Topi i Artë 2015”, i 5-ti në karrierë në 8 vitet e fundit, nuk ishte një rastësi, kjo edhe për arsye Lionel Mesi, kryeson listën e futbollistëve më të shtrenjtë në botë. Sipas faqes në Internet, të specializuar në analizat e futbollit, “CIES”, ylli argjentinas kushton afro 250 milionë euro, ndërsa ndjekësit janë shumë larg. Braziliani Nejmar është i dyti me 150 milionë, kurse Eden Hazard e mbyll podiumin me 130 milionë. Çuditërisht, Kristiano Ronaldo e sheh veten në pozitën e katërt, me vlerën 114 milionë euro.
“CIES” ka publikuar së fundmi listën e 15 futbollistëve më të shtrenjtë në botë dhe i pari është Mesi. 28-vjeçari ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2018 dhe klubi që synon ta transferojë futbollistin më të mirë në botë duhet ta paguajë një çerek miliardë euro. Prapa tij, është bashkëlojtari te gjigandja katalan, Nejmar Zhunjor. 23-vjeçari, i cili shpërtheu në vitin që e lamë pas, ka kontratë po ashtu deri në vitin 2018 dhe vlera e tij është 152 milionë euro.
Nëse e përdorim matematikën, ylli brazilian kushton afro 100 milionë euro më pak se fituesi i pesë “Topave të Artë”. Supriza më e madhe qëndron në vendin e tretë, ku mbase pritej të ishte Kristiano Ronaldo. Në bazë të kësaj liste, në podium përfundon Eden Hazard. Ylli i Çellsit vlerësohet 130 milionë euro, ndërsa ka kontratë me “Blutë” londinezë deri në vitin 2020. Por, kjo nuk nënkupton se ai nuk do të largohet më herët nga “Stemford Bridxh”.
Ndërsa i mbiquajtur “CR7”, fitues i tre “Topave të Artë”, që ka kontratë deri më 2018 me Realin e Madridin, kushton 114 milionë euro. Çuditërisht, në 5-shen e parë bën pjesë edhe ylli i ri i Totenhemit, Herri Kejn, i cili kushton rreth 90 milionë euro. 22-vjeçari ka kontratë me “Spërs”-at deri në vitin 2020. Rahim Stërling, sulmuesi anglez që gjatë verës së kaluar iu bashkua Mançester Sitit nga Liverpuli, është i 6-ti, me gjithashtu 90 milionë euro.
Ai ndiqet nga sulmuesi i rrezikshëm francez i Atletiko e Madridit, Antuan Grizman. Luis Suarez i Barcelonës është i 8-ti, kurse i 9-ti është Serxhio Aguero i Atletikos së Madridit. E dhjetëshen e parë, me vlerë prej mbi 80 milionë eurosh, e mbyll Aleksis Sançez i Arsenalit. Në këtë listë janë llogaritur vitet e lojtarëve, sa më të rinj kanë vlerë më të madhe, pastaj kohëzgjatja e kontratës dhe forma aktuale e tyre. Pa dyshim, Mesi është lojtari më i mirë dhe më i shtrenjtë në botë i 10-vjeçarit të fundit.
Ja vlera e 15 lojtarëve më të shtrenjtë:
Nr. Futbollisti Vlera
- Lionel Mesi 250.7 milionë euro
- Nejmar Zhunjor 152.7
- Eden Hazard 130.5
- Kristiano Ronaldo 114.0
- Herri Kejn 91.3
- Rahim Stërling 89.8
- Antuan Grizman 88.3
- Luis Suarez 86.3
- Serxhio Aguero 82.1
- Aleksis Sançez 81.9
- Antoni Marsial 77.8
- Pol Pogba 77.3
- Kevin de Bryjne 73.0
- Filipe Kutinjo 73.0
- Tomas Myler 71.3