AlbanianSport.com 11.01.2016 12:55
ASNN – Trajneri i Kombëtares nuk i ka pëlqyer lajmet e përhapura pas vendimit të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), për t’i ndryshuar kushtet e kontratës për Eliminatoret e Botërorit 2018. Xhovani De Biazi, tashmë 60 vjeç, do të përfitojë më shumë se një sezon më parë dhe, më saktësisht, rritja është 60%.
Shifra e afrohet 1 milionë-euroshit dhe për trajnerin, në këtë pikë nuk është respektuar sekreti nga anëtarët e organit drejtues të FSHF-së.“Nuk kam firmosur materialisht një kontratë të re, por presidenti Duka, duke dashur të më vlerësojë, vendosi të më japë ekuivalentin e 4.4% të buxhetit të Federatës, ndërsa në dyvjeçarin e dytë, me 4.5% të buxhetit”, – lexohet në reagimin e De Biasit.
Trajneri shton se me punën e deritanishme i është dhënë një kënaqësi e madhe të gjithë shqiptarëve. De Biazi vlerëson që, sipas tij, në këtë situatë nuk është përfshirë kreu i FSHF-së. “E vlerësoj faktin që presidenti Duka është larg gjithë kësaj, – thotë trajneri. – Të gjithë atyre që kanë gabuar në shpërndarjen e këtyre gjërave jo korrekte u them me ndershmëri dhe ndjenjën e besnikërisë te flamuri ynë.”
“Kemi arritur një objektiv shumë të lartë dhe duhet të sillemi me pjekuri, në lartësinë e pozicionit profesional dhe të imazhit kombëtar në të cilën gjendemi”, – përfundon De Biazi. Ajo që të tërheq vëmendjen në deklaratën për shtyp të trajnerit kuqezi është se ajo nuk gjendet në faqen e tij zyrtare në Internet, e as në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”. Madje as në faqen zyrtare në Internet të FSHF-së.
Për më tepër, deklarata as është shpërndarë nëpërmjet postës elektronike nga ana e organizmit që qeveris futbollin shqiptar, por direkt nga vetë trajneri që, në këtë mënyrë, ka treguar se diçka nuk funksionon në zinxhirin e komunikimit midis tij dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Kombëtarja siguroi kualifikimin historik në Evropian dhe të gjithë shpresojnë te një tjetër suprizë në fazën finale.