AlbanianSport.com 11.01.2016 12:05
ASNN – Siç shkruan sot e përditshmja e mirënjohur kosovare, “Koha Ditore”, hendbollistet vendase janë përballur të shtunën me nivelin e vërtetë të sportit evropian. Klubi gjakovar i hendbollisteve, Shqiponja, është mposhtur thellë nga skuadra spanjolle Rokasa Gran Kanaria, me shifrat 38-23.
Ndeshja e luajtur në Gjakovë në prani të rreth 400 sportdashësve, ishte e para e një turit të 16-shes së “Challenge Cup”, që është niveli i tretë i veprimtarive evropiane të këtij sporti. Ndeshja e kthimit do të luhet më 17 janar në Spanjë, nëse Shqiponjës i lejohet hyrja në këtë vend.
Shqiponja ka debutuar këtë edicion në veprimtaritë evropiane, ndërsa bëri histori kur në turin paraardhës eliminoi Pelisterin e Maqedonisë. Kundër spanjolleve, hendbollistet e Shqiponjës nisën mirë, por nuk ia dolën të shmangun humbjen e thellë, që nuk para jep shpresë për pëmbysje në ndeshjen e kthimit.
Shqiponja në këtë ndeshje është paraqitur e përforcuar me disa hendbolliste të skuadrave të tjera kosovare. Belma Beba që u huazua nga Kastrioti ishte lojtarja më e dalluar, me 11 gola. Nga katër gola i shënuan Albulena Kelmendi e Arlinda Krasniqi. Skuadra e Rokasa Gran Kanarias kryeson renditjen në kampionatin spanjoll.
“Të gjithë e dimë forcën e Spanjës në sport, – ka thënë Beba për të përditshmen në fjalë. – E dimë po ashtu nivelin e hendbollit që luhet në atë vend dhe nivelin e hendbollit në Kosovë. Nuk mund të them që e kemi dhënë maksimumin, por edhe me maksimumin e secilës nuk besoj që do të vinim deri te fitorja.”
“Por të paktën nuk do të pësonim kaq thellë. Në fillim rezultati ishte i ngushtë, më pas diferenca u rrit shumë”, – ka përfunduar hendbollistja kosovare.