AlbanianSport.com 10.01.2016 22:50
ASNN – Napoli i shqiptarit Elseid Hysaj është shpallur “kampion i dimrit” në Itali. Fitorja ndaj Frosinones me rezultatin 5-1 ia mundësoi ekipit nga Sao Paolo të shpallet “kampion” simbolik i gjysmësezonit, pas pritjes së gjatë prej 27 vjetësh. Skuadra e trajnerit Sarri ia rrëmbeu vendin e parë Interit, i cili dështoi në shtëpi ndaj Sasuolos. Sipas statistikave, nga sezoni 2004/2005, skuadra që fiton titullin dimëror, merr më pas titullin e kampionit në 78.9% të rasteve në Serie A. Vetëm në një rast ka ndodhur që, ai që e ka fituar titullin e kampiones së dimrit, nuk ka arritur së paku në mesin e tre të parëve dhe Kjo ka ndodhur në vitin 1936.
Në takimin me Frosinonen ka bërë një paraqitje të mirë edhe mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj, i cili ishte pjesë e lojës që në minutat e para. Fillimisht, Hysaj u ndëshkua me karton të verdhë për një ndërhyrje të gabuar ndaj Kraglit, në minutën e 51-të. Ndërsa pak minuta më pas, ai pati një rast për të shënuar për skuadrën.
Një gjuajtje e tij me të majtën nga distanca në minutën e 81-të detyroi Zapingën të bënte një ndërhyrje të sforcuar. Golin e parë për Napolin e realizoi Raul Albiol në minutën e 20-të të takimit, ndërsa i dyti për miqtë erdhi 10 minuta më pas nga Higuain, i cili realizoi me sukses një 11-metërsh.
Tri golat e tjerë që vulosën edhe rezultatin final u shënuan nga përkatësisht nga Hamsik, sërish Higuain dhe Gabiadini. Për vendasit golin e nderit e shënoi Paolo Samarko 8 minuta para mbylljes së takimit. Kështu, fitorja e arritur pasditen e së dielës me rezultatin 5-1 ndaj Frosinones, e shpalli Napolin “kampion” të dimrit.
Mediat italiane shkruajnë se ky rezultat nuk ishte arritur që në kohën e Maradonës, një legjendë e kësaj skuadre i njohur në mbarë botën. “Skuadra e Napolit u rendit në krye në gjysmësezonin e parë në kampionatin e viteve 1989-90 dhe, në fund të këtij kampionati, Napoli u shpall edhe fitues në Serinë A”, – shkruan gazeta italiane “Corriere dello Sport”.