AlbanianSport.com 10.01.2016 21:20
ASNN – Gjatë kësaj merkatoje dimri, skuadrat e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit po afrojnë futbollistë cilësorë duke kërkuar të arrijnë objektivat e fillimvitit. Kështu Flamurtari, Skënderbeu, Tirana dhe Partizani janë mjaft aktivë. Më konkretisht, Flamurtari vazhdon të përforcojë ekipin në këtë merakto dimri dhe janë tre lojtarë brazilianë të cilët kanë firmosur tashmë për klubin kuqezi.
Danilo Alvesh është sulmues dhe vjen nga Gremio Ausasc e kampionati brazilian i futbollit. Për të është përfaqësimi i parë në Evropë dhe shpreson të shkëlqejë me Flamurtarin. Mesfushori Lukas matos është 19-vjeçari që ka firmosur një kontratë 3-vjeçare. Ai vjen nga Korinthiansi. Një tjetër përforcim i klubit vlonjat është sulmuesi 28-vjeçar Zhoao Enrike Da Silva.
Ai vjen në Vlorë të mërkurën pasi ka arritur marrveshjen me Flamurtarin. Da Silva ka luajtur me Guaranin. Ndërkaq, Valmir Nafiu është goditja e radhës e Skëndërbeut në merkato. 21-vjeçari luan në repartin sulmues, si në krahun e majtë, ashtu edhe në atë të djathtë. Ai do të luajë në vend të Bernard Berishës. Nafiu është lojtar i përfaqësueses së Nën-21-vjeçarëve të Maqedonisë.