Gjergj Vyshka 10.01.2016 10:05
E marta e dytë e janarit, ose më saktë 12 janari i këtij viti, është motivuar nga familjarët e Mirjan Hakanit, i ndarë nga jeta më 5 dhjetor të vitit të kaluar, si një takim me të. Sepse ish-peshëngritësi i talentuar i Tiranës dhe i ekipit tonë kombëtar, ish-organizatori i shumë aktiviteteve sportive, ish-ndërtuesit i terreneve sportive në kryeqytet dhe për herë të fundit ish-shefi i klubit shumësportësh “Partizani” me zemrën e tij të madhe pati bërë shumë miq.
Ndaj e shoqja Lina, djali Jurgeni dhe vajza Kejtlin, të martën në mesditë në sallën “Unesko” të Muzeut Historik Kombëtar kanë kërkuar të mbledhin të gjithë miqtë e Mirjan Hakanit. “Si një takim për të kujtuar Mirin, Mirjanin tonë dhe Mirjanin tuaj, njeriut që ia dedikoj jetën sportit shqiptar, por nuk ishte me fat ta kishim përsëri mes nesh. Ju presim për të ndarë çaste, kujtime dhe mall me Mirin në ditën e emrit të tij”, thuhet në tekstin e ftesave të shpërndara për takimin e së martës në mesditë me titullin “Një ditë me Mirin…”.
Mirëpo nuk duket se përfundon këtu, sepse jo vetëm e marta, por dhe të gjitha vitet që do të vijnë do ta kujtojnë gjithmonë Mirjan Hakanin për atë që bëri për sportin shqiptar. Njeriu i shumë titujve “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Mësues i Merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i sportit shqiptar” meriton edhe më shumë se sa një ditë e vetme për ta kujtuar. Megjithatë e marta është si dita e miqve për të folur përsëri me dhe për Mirjan Hakanin…