AlbanianSport.com 10.01.2016 07:50
ASNN – Klubi shkodran ka zyrtarizuar si trajnerin e tij Armando Cungun. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka prezantuar ish-trajnerin e Laçit i cili do të marrë drejtimin e kuqebluve.
Cungu rikthehet në shtëpi, por tashmë si udhëheqës i shkodranëve në arenën e futbollit. Bordi mbikëqyrës ka emëruar malazezin Aleksandar Madzarin si zëvendëstrajner, ndërsa Avenir Dani do të ushtrojë detyrën e trajnerit të portierëve.
Ajo që vlen për t’u përmendur është se kryebashkiakja Ademi dhe bordi i ri janë angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe kalimin e të gjithë vështirësive që ka aktualisht klubi “Vllaznia” dhe ky është një lajm i mirë.
“Në karrierën timë gjithnjë kam pasur dëshirë që të drejtoja dhe Vllazninë, – ka deklaruar trajneri i sapoemëruar gjatë prezantimit të tij. – Unë jam mësuar me sfida dhe më të vështira dhe sigurisht situatën që kemi tani do ta kalojmë.”
Kemi projekte më afatgjata me Bashkinë e Shkodrës dhe së bashku me garancinë financiare do t’ia dalim në fund. Tani që kryebashkiakja Ademi garantoi për ecurinë dhe pagat e prapambetura edhe ekipi do ti rikthehet stërvitjes”, – përfundoi Cungu.
Për çështjen e pagave të prapambetura foli dhe vetë Voltana Ademi. “Është diksutuar për kërkesat do ta mbulojmë në kohë, por sigurisht duke pretenduar që të gjithë të jenë të përgjegjshëm”, – ka sqaruar ajo.
“Bashkia e Shkodrës e ka mbështetur dhe do ta vazhdojë ta mbështesë ekipin. Unë mendoj se u plotësua një dëshirë edhe të tifozëve për të patur një staf profesionist”, – përfundoi kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.